Këshilli për bashkëpunim ndërmjet Qeverisë dhe Shoqërisë Civile kërkon që Qeveria të rishqyrtojë planifikimin e mjeteve për financimin e aktiviteteve programore të shoqatave dhe fondacioneve në Buxhetin e Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2022

Këshilli për bashkëpunim ndërmjet Qeverisë dhe Shoqërisë Civile i ka dërguar kërkesë me shkrim Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut me të cilën kërkohet nga Qeveria që ta rishqyrtojë dhe ta ndryshojë vendimin për planifikimin e mjeteve për financimin e aktiviteteve programore të shoqatave dhe fondacioneve në Buxhetin e Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2022 dhe në Propozim-buxhetin, në nenin 040.01 - Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Nënprogrami 10 - Administrata, pika 463 - Transferet tek organizatat joqeveritare, të parashikohen 30.000.000 denarë, të destinuara për financimin e aktiviteteve programore të shoqatave dhe fondacioneve.

Këshilli për Bashkëpunim ndërmjet Qeverisë dhe Shoqërisë Civile, si organ këshilldhënës i Qeverisë për nxitjen e bashkëpunimit, dialogut dhe inkurajimin e zhvillimit të shoqërisë civile, në tre vitet e fundit ka kontribuar dukshëm në rritjen e transparencës dhe objektivitetit në ndarjen e mjeteve parapara në Buxhetin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut të dedikuara për financimin e aktiviteteve programore të shoqatave dhe fondacioneve.

Mjetet të cilave i referohet ky reagim janë mjete të cilat në bazë të Ligjit për Shoqata dhe Fondacione u ndahen organizatave civile në pajtim me vendimin e Qeverisë për kriteret dhe procedurën për ndarjen e mjeteve për financimin e aktiviteteve programore të shoqatave dhe fondacioneve, nga Buxheti i Republikës së Maqedonisë së Veriut (“Gazeta Zyrtare e RMV” nr. 277/2019).

Këto mjete një periudhë të gjatë kohore parashihen në nenin 04001 - Qeveri, por me Propozim-buxhetin për vitin 2022, për arsye të panjohura, mjetet për financimin e aktiviteteve programore të shoqatave dhe fondacioneve për vitin 2022 janë planifikuar në nenin 04010- Ministria e Sistemit Politik dhe marrëdhënieve ndërmjet komuniteteve, në Nënprogramin 11 me titull “Promovimi i marrëdhënieve ndëretnike”, i cili rendit vetëm një prioritet. Theksojmë se çdo organ i administratës shtetërore, në bazë të një programi, mund të ndajë mjete për çështje nga fushëveprimi i tij (neni 49, paragrafi 3 i Ligjit për shoqatat dhe fondacionet), por duke pasur parasysh se roli i Qeverisë për të identifikuar prioritetet të cilat janë të rëndësishme për financimin e të gjithë shoqërisë, është e nevojshme të planifikohen burimet financiare në nenin 04001 - Qeveri.

Ndryshime të tilla serioze, sistematike në ndarjen e fondeve të destinuara për organizatat e shoqërisë civile, pa konsultim paraprak me Këshillin për Bashkëpunim ndërmjet Qeverisë dhe Shoqërisë Civile, nënkuptojnë mohimin e rolit të Këshillit dhe minimizimin e përpjekjeve të tij të mëparshme për përmirësimin e sistemit të financimit të organizatave civile. Theksojmë se Programi i Punës së Qeverisë për periudhën 2020-2024 parashikon një reformë gjithëpërfshirëse në sistemin e financimit shtetëror. Në këtë drejtim, është në proces ngritja e një grupi pune për reformimin e sistemit të financimit shtetëror të organizatave civile. Ky grup pune, bazuar në analizat e mëparshme dhe në një proces transparent dhe gjithëpërfshirës, ​​duhet të propozojë një model në të cilin do të bëhet shpërndarja e fondeve shtetërore për organizatat e shoqërisë civile. Derisa të miratohet një model i ri financimi shtetëror, ne mendojmë se nuk duhet të ketë mënyra eksperimentale të financimit të aktiviteteve programore të shoqatave dhe fondacioneve, as ndryshime në raport me përdoruesit buxhetorë që disponojnë këto fonde.

Duke pasur parasysh se Propozim-buxheti i Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2022 tashmë është në procedurë parlamentare, kërkojmë nga propozuesi i Propozim-buxhetit për vitin 2022, që ta ketë parasysh këtë reagim dhe të ndërhyjë në Propozim-buxhetin për 2022, me të cilin u bë e mundur vazhdimësia e praktikave të vendosura, deri në përcaktimin e një reforme gjithëpërfshirëse në sistemin e financimit shtetëror të organizatave të shoqërisë civile.

Albanian